Mbi 50 shkolla nga 11 komuna u bënë pjesë e sfidës që promovon mendimin kompjuterik, arsyetimin logjik dhe aftësitë në zgjidhjen e problemeve te nxënësit.

Edhe këtë vit, Shoqata Profesionale e Informatikës së Kosovës (SHPIK) organizoi Sfidën Bebras Computing 2026 në Kosovë, një iniciativë ndërkombëtare që synon promovimin e mendimit kompjuterik dhe zhvillimin e aftësive logjike e analitike te nxënësit.

Sfida Lokale u mbajt më 13 nëntor 2026, me pjesëmarrjen e shkollave nga 11 komuna të Kosovës. Në këtë aktivitet u përfshinë edhe komunat me të cilat SHPIK ka marrëveshje bashkëpunimi përmes Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA), duke mundësuar pjesëmarrjen e shkollave përkatëse në këtë sfidë.

Në përgatitje të këtij aktiviteti, SHPIK paraprakisht organizoi sesione informuese për koordinatorët e shkollave pjesëmarrëse, me qëllim të prezantimit të procedurave të zhvillimit të sfidës, platformës dhe udhëzimeve për mbarëvajtjen e saj.

Këtë vit, sfida mblodhi mbi 2,000 nxënës pjesëmarrës, me përfshirje nga 11 komuna dhe mbi 50 shkolla në të gjithë Kosovën. Përmes detyrave interaktive dhe sfiduese, nxënësit patën mundësinë të vënë në praktikë aftësitë e tyre në zgjidhjen e problemeve, arsyetimin logjik dhe të menduarit kreativ.

Pjesëmarrja e gjerë e nxënësve nga komuna dhe shkolla të ndryshme dëshmon interesimin për aktivitete të tilla dhe rëndësinë e krijimit të mundësive për zhvillimin e kompetencave digjitale që në moshë të hershme.

61 nxënës kualifikohen për Sfidën Qendrore

Si rezultat i Sfidës Lokale, 61 nxënës arritën të tejkalojnë pragun e kualifikimit prej 75%, duke siguruar pjesëmarrjen në Sfidën Qendrore Bebras 2026, e cila do të mbahet më 2 dhe 3 dhjetor 2026.

Sfida Qendrore do të jetë mundësia e radhës për nxënësit e kualifikuar që të sfidojnë aftësitë e tyre në zgjidhjen e detyrave dhe të dëshmojnë njohuritë e fituara përmes kësaj gare.

SHPIK shpreh mirënjohjen për Drejtoritë Komunale të Arsimit, drejtoritë e shkollave, koordinatorët dhe mësimdhënësit për bashkëpunimin dhe angazhimin në realizimin e Sfidës Bebras Computing 2026, si dhe për të gjithë nxënësit që u bënë pjesë e kësaj nisme.

Përmes organizimit të aktiviteteve të tilla, SHPIK vazhdon të kontribuojë në promovimin e edukimit në fushën e teknologjisë, duke nxitur zhvillimin e mendimit kompjuterik, aftësive analitike dhe kompetencave digjitale te gjeneratat e reja.

Statistikat e Sfidës Bebras Computing 2026 në Kosovë