“Securing Kosovo’s Digital Future!” – Eventi për ISO/IEC 27001
Bashkëpunimi SHPIK–OCG për zhvillimin e kapaciteteve vendore në fushën e certifikimit ISO/IEC 27001
Më 5 nëntor 2026, Shoqata Profesionale e Informaticienëve të Kosovës (SHPIK), në bashkëpunim me Austrian Computer Society (OCG), organizoi ngjarjen “Securing Kosovo’s Digital Future!”, e dedikuar prezantimit të iniciativës ISO/IEC 27001 në Kosovë dhe rëndësisë së këtij standardi për kompanitë dhe organizatat vendore.
Ngjarja u mbajt në Swiss Diamond Hotel në Prishtinë dhe mblodhi përfaqësues institucionalë, profesionistë dhe përfaqësues të sektorit të industrisë, me qëllim të diskutimit mbi rëndësinë e sigurisë së informacionit dhe nevojën për zbatimin e standardeve ndërkombëtare në një mjedis gjithnjë e më të digjitalizuar.
Programi u hap me fjalët përshëndetëse nga Diellza Shllaku, Drejtore Ekzekutive e SHPIK-ut, dhe Ronald Bieber, Sekretar i Përgjithshëm i OCG-së, të cilët prezantuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe të kësaj iniciative për zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë së informacionit në Kosovë.


Në kuadër të hapjes zyrtare, fjalë rasti mbajtën edhe H.E. Jeton Mehmeti, Zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe Clarissa Castek, Sekretare e Parë në Ambasadën e Austrisë në Prishtinë, duke i dhënë ngjarjes edhe dimensionin institucional dhe ndërkombëtar.

Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua prezantimit të iniciativës ISO/IEC 27001 nga përfaqësues të OCG-së dhe SHPIK-ut, përmes së cilës u prezantua synimi për të sjellë në Kosovë mundësi të reja në fushën e certifikimit të sigurisë së informacionit.
Gjithashtu, Christoph Jungbauer, ekspert dhe ligjërues i ftuar nga OCG, prezantoi procesin e trajnimit dhe certifikimit sipas standardit ISO/IEC 27001, duke trajtuar kërkesat dhe aspektet kryesore të këtij procesi.
Programi vazhdoi me diskutimin mbi perspektivën e industrisë dhe rëndësinë e këtij standardi për sektorin privat, duke krijuar hapësirë për shkëmbim të mendimeve dhe diskutim ndërmjet pjesëmarrësve. Ngjarja u përmbyll me fjalët përmbyllëse dhe një sesion të rrjetëzimit profesional.

ISO/IEC 27001 – Drejt një kulture më të avancuar të sigurisë së informacionit
ISO/IEC 27001 është standard ndërkombëtar që përcakton kërkesat për krijimin, zbatimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të Sistemit të Menaxhimit të Sigurisë së Informacionit (ISMS). Përmes zbatimit të tij, organizatat mund të identifikojnë dhe menaxhojnë rreziqet e sigurisë së informacionit, të mbrojnë të dhënat dhe të forcojnë besimin e klientëve dhe partnerëve të tyre.
Përmes kësaj iniciative, SHPIK synon të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve vendore në këtë fushë dhe të mbështesë kompanitë në Kosovë drejt përmbushjes së kërkesave ndërkombëtare për sigurinë e informacionit.
Në bashkëpunim me Austrian Computer Society (OCG), SHPIK po punon drejt zhvillimit të kapaciteteve për ofrimin e certifikimit të akredituar sipas ISO/IEC 27001 në Kosovë, duke synuar krijimin e mundësive që kompanitë vendore të kenë qasje më të drejtpërdrejtë në proceset e certifikimit.
Kjo iniciativë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë digjitale në vend dhe avancimit të standardeve profesionale në sektorin e teknologjisë së informacionit.
Përmes këtij bashkëpunimi, SHPIK riafirmon angazhimin për zhvillimin e ekosistemit të TIK-ut në Kosovë dhe mbështetjen e organizatave vendore në përballjen me sfidat dhe kërkesat e transformimit digjital.

Nëntor 5, 2026