Mbahet konferenca e parë vjetore mbi Inovacionin në Arsim përmes TIK-ut
Më 29 tetor u mbajt konferenca e parë vjetore mbi Inovacionin në Arsim, Mësimdhënie dhe Mësimnxënie përmes TIK-ut. Konferenca u organizua nga SHPIK (Shoqata Profesionale e Informaticientëve të Kosovës) dhe u mbështet nga shkolla “Mileniumi i Tretë” në Prishtinë.
Në këtë event morën pjesë mësimdhënës të shkollave fillore, të mesme e universitarë, drejtorë të shkollave, profesionistë të TIK-ut, teknologjistë, studentë, entuziastë e hulumtues nga të gjitha nivelet dhe nga i gjithë rajoni.
Konferenca u hap me fjalimin hyrës të z. Bekim Kasumi, drejtor ekzekutiv i SHPIK (Shoqata Profesionale e Informaticientëve të Kosovës) i cili ndër të tjera e potencoi faktin se kjo konferencë vjetore mbahet jo rastësisht në Ditën Ndërkombëtare të Internetit (29 tetor). Ndërsa, ky event pikërisht e shënon paraqitjen e parë publike të SHPIK (Shoqatës Profesionale të Informaticientëve të Kosovës). Gjatë fjalimit, z. Kasumi i shpalosi disa nga shërbimet që do të ofrojë SHPIK për profesionistët e IT-së, mësimdhënësit, studentët dhe entuziastët e teknologjisë që do të jenë pjesë e kësaj shoqate.
Një fjalim mirëseardhës u mbajt edhe nga drejtoresha e shkollës “Mileniumi i Tretë”, znj. Afrore Lila e cila vuri në dukje fokusin e shkollës “Mileniumi i Tretë” në përdorimin e duhur të teknologjisë në procesin mësimor. E më pas, audiencës iu drejtua përfaqësuesi i donatorit të kësaj konference, z. Arsim Aziri nga Austrian Development Agency, i cili ndër të tjera i informoj pjesëmarrësit lidhur me investimet dhe përkrahjen financiare të cilat është duke i ndërmarrë ADA në Kosovë, drejt avansimit të cilësisë të arsimit dhe përmirësimit të të bërit biznes.
Konferenca vazhdoi me ekspertë të ftuar si mysafirë me fjalimet e tyre kryesore.
Fjalimi kryesor i konferencës u hap nga, Dr. Ardiana Sula, Pedagoge e lartë në Shkencën e të Dhënave dhe Shkenca Kompjuterike në Universitetin e New Haven në SHBA. Fjalimi i Dr. Sula u fokusua në Inteligjencën Artificiale (AI) dhe platformat e drejtuara nga të dhënat për mësim të personalizuar.
Dr. Martin Kandlhofer, Hulumtues nga Shoqëria Austriake e Kompjuterëve e mbajti fjalimin e radhës me temën: “Inteligjenca Artificiale (AI) në edukim”.
Fjalimi vijues ishte nga Rrezarta Xhaferi, eksperte e eLearning, e cila mbajti fjalim me temën: “E-Mësimi përmes Platformës Digjitale në një kohë post-covidiane”.
Pas këtyre fjalimeve, konferenca vazhdoi me prezantime të mësimdhënësve dhe ekspertëve nga të gjitha nivelet dhe nga e gjithë Kosova. Në këtë pjesë prezentuan: Teuta Mehmeti, Mevlyde Kasumi, Zoja Lohaj, Lulzim Thaqi, Dije Shatri, Sevil Haxhija dhe Emin Hoxha. Këto prezantime shpalosën eksperiencat e tyre në përdorimin e teknologjisë në procesin mësimor, trendet e zhvillimeve të përmbajtjeve elektronike mësimore, mjetet dhe platformat që ata përdorin në mbështetje të procesit mësimor etj.
Ndërsa, pasdite u mbajtën punëtori të ndryshme me tema të ngjashme. Punëtori mbajtën: Endrit Rizanaj, Engji Goga, Arta Dobra Dreshaj, Medina Xhuraj, Blerta Mehmetaj, Rajmonda Berisha, Besnik Hajdari, Shkëlqesë Osmanaj, Dijellza Hasani, Ariana Blakaj dhe Sadik Ahmataj.
Konferenca e parë vjetore mbi Inovacionin në Arsim, Mësimdhënie dhe Mësimnxënie përmes TIK-ut u mbyll me një diskutim të hapur të përbashkët nga të gjithë të pranishmit. Në këtë event morën pjesën mbi 60 pjesëmarrës dhe të ftuar. Konferenca u mbajt në lokalet e kolegjit të RIT Kosovës në Prishtinë.
Prezantimet dhe fotografitë e konferencës mund t’i gjeni në këtë link.