SHPIK dhe DKA Suharekë / IAAP Skender Luarasi nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi
SHPIK dhe DKA e Suharekës / IAAP Skender Luarasi nënshkruan marrëveshje për themelimin e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në kuadër të IAAP Skënder Luarasi.
Partneriteti mes SHPIK dhe DKA Suharekë / IAAP “Skender Luarasi” është i orientuar drejt arritjes së disa objektivave strategjike, të cilat janë jetike për përgatitjen e brezit të ri me aftësitë e duhura për t’u përballur me sfidat e tregut të punës në erën digjitale:
- Zbatimi i modelit DUAL të mësimit për sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK): Kjo nismë synon të integrojë njohuritë teorike me përvojën praktike, duke ofruar një arsimim të plotë në fushën e TIK-ut dhe duke përgatitur studentët për sfidat e një tregu pune gjithnjë e më të ndërlikuar.
- Fuqizimi i shkathtësive digjitale dhe sipërmarrëse të nxënësve: Përmes këtij partneriteti, theksohet rëndësia e zhvillimit të shkathtësive digjitale dhe sipërmarrëse të të rinjve, duke i pajisur ata me njohuritë dhe kompetencat e nevojshme për të qenë konkurrues në ekonominë globale.
- Promovimi i profesioneve të TIK-ut në nivelin lokal dhe rajonal: Nëpërmjet kësaj nisme, synohet të rritet ndërgjegjësimi dhe interesimi për profesionet në fushën e TIK-ut, duke adresuar kërkesën në rritje për profesionistë të kualifikuar në këtë sektor.
- Ndërlidhja e IAAP “Skender Luarasi” me sektorin e biznesit: Pjesë integrale e këtij bashkëpunimi është krijimi dhe forcimi i lidhjeve mes institutit dhe komunitetit të biznesit, si në nivel vendas ashtu edhe ndërkombëtar. Ky qëllim synon të hapë rrugë për mundësi praktike për nxënlsit dhe të nxisë zhvillimin ekonomik.
Një hap i rëndësishëm për inovacionin dhe ndërmarrësinë
Themelimi i Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nën partneritetin e SHPIK dhe DKA Suharekë / IAAP Skender Luarasi shënon një hap të rëndësishëm për fuqizimin e ekosistemit të inovacionit dhe ndërmarrësisë në rajon. Duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe duke kontribuar në rritjen ekonomike të vendit, ky partneritet thekson rëndësinë e arsimit, inovacionit, dhe ndërmarrësisë në drejtimin e zhvillimit të qëndrueshëm.