Ora e Kodimit fillon me vizitën në shkollën “Yll Morina” në Gjakovë
SHPIK shënoi fillimin e Orës së Kodimit me një vizitë inspiruese në shkollën “Yll Morina” në Gjakovë. Ky aktivitet kishte për qëllim promovimin e shkathtësive teknologjike dhe kodimit të nxënësve të shkollave të Kosovës.
Në këtë ngjarje të veçantë morën pjesë Zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës z. Arsim Ademi, Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës znj. Eranda Kumnova Baçi të cilët u pritën nga Drejtori i shkollës “Yll Morina” z. Berat Bejtullahu dhe stafi i tij.
Një moment i veçantë ishte prezantimi i nxënësve të klasës së IX, të udhëhequr nga profesoresha Aida Stublla, të cilët demonstruan një aktivitet interaktiv në kodim. Këto aktivitete reflektojnë entuziazmin dhe shkathtësitë kreative të të rinjve për të eksploruar botën e teknologjisë.
SHPIK është e përkushtuar për të mbështetur shkollat në Kosovë duke ofruar trajnime profesionale për mësimdhënësit në fushën e shkencave kompjuterike dhe duke sjellë kurrikulën e Code.org në gjuhën shqipe. Qëllimi ynë është të fuqizojmë nxënësit me njohuritë dhe shkathtësitë që do të jenë thelbësore për suksesin e tyre në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar.
Vizita shënoi fillimin e një serie aktivitetesh që do të zhvillohen në kuadër të Orës së Kodimit përgjatë javës 9-13 dhjetor 2023, me qëllim të nxitjes së interesit për teknologjinë dhe kodimin në shkollat tona.