Java e Orës së Kodimit në Kosovë përfundoi me rezultate të mahnitshme, duke shënuar një nga iniciativat më të suksesshme për promovimin e shkathtësive digjitale dhe mendimit algoritmik në mesin e nxënësve të shkollave tona.

Rezultatet ishin të jashtëzakonshme, me 85,000 orë aktivitete kodimi të realizuara në 350 shkolla të angazhuara nga 24 komuna. Kjo pjesëmarrje masive e nxënësve dhe mësimdhënësve pasqyron përkushtimin e përbashkët për të fuqizuar brezin tonë me njohuri bashkëkohore, duke u fokusuar në teknologji si bazë për inovacion dhe krijimtari.

Mësimdhënësit luajtën një rol thelbësor duke sjellë teknologji të reja në klasë dhe duke i motivuar nxënësit të eksplorojnë kodimin si mjet për të zgjidhur probleme dhe për të krijuar ide të reja. Falë angazhimit të tyre, nxënësit mësuan bazat e kodimit, zhvilluan shkathtësi si puna në grup, zgjidhja e problemeve dhe krijimi i produkteve digjitale, si dhe shndërruan klasat në ambiente inovative dhe inspiruese.

Një falënderim i posaçëm shkon për mësimdhësit që vazhdojnë të marrin pjesë në Hour of Code çdo vit, partnerët dhe institucionet që na mbështetën në realizimin e kësaj nisme, si dhe nxënësit që me entuziazëm eksploruan botën e kodimit.

Ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë drejt teknologjisë dhe inovacionit. “Së bashku, po krijojmë një gjeneratë mendjesh të ndritura që do të formësojnë të ardhmen!