Fuqizimi i vajzave në sektorin e TIK-ut

TIK-u është një fushë me rritje të shpejtë që po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në shoqërinë tonë. Me këtë rritje të këtij profesioni parashihet që vitet e ardhshme të ketë rritje enorme të vendeve të punës në këtë sektor. Kjo paraqet një mundësi për ata që janë të interesuar të ndjekin një karrierë në TIK, veçanërisht gratë dhe vajzat që janë të nën përfaqësuara në këtë fushë.

Gratë përbëjnë vetëm 30% të fuqisë punëtore të TIK-ut në nivel global, dhe ky numër është edhe më i ulët në vendet në zhvillim. Ka disa arsye për këtë, duke përfshirë mungesën e ekspozimit ndaj arsimit dhe karrierës në TIK, stereotipet kulturore dhe mungesën e modeleve në këto drejtime. Andaj, duke inkurajuar dhe fuqizuar vajzat për të ndjekur karrierën në TIK, ne mund të ndihmojmë për të kapërcyer këtë hendek gjinor dhe për të krijuar një fuqi punëtore më të larmishme dhe gjithëpërfshirëse.

Gjatë javës 24-28 prill 2023, Shoqata Profesionale e Informaticientëve të Kosovës (SHPIK) nën patronatin e Komunës së Prishtinës vizitoi 5 shkolla fillore në komunën e Prishtinës për të shënuar javën e Vajzave në TIK. Qëllimi i këtyre vizitave ishte vetëdijësimi dhe inkurajimi i vajzave të klasave të IX të fillojnë karrierën në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Shkollat që u vizituan ishin: SHFMU Dardania, SHFMU Xhemail Mustafa, SHFMU Ismail Qemali, SHFMU Faik Konica dhe SHFMU Iliria.

Fokusi kryesor i vizitës ishte informimi i vajzave të klasave të IX për drejtimet e reja në fushën e TIK-ut që do t’i shtohen SHMP Gjin Gazulli. Drejtimet e reja janë: Mediamaticient, Zhvillues i aplikacioneve, Teknik i informatikës së biznesit, Teknik i dizajnit grafik, Teknik i sistemeve të TIK-ut dhe Zhvillues i përmbajtjeve multimediale.

Në këtë shkollë do të kenë mundësinë për regjistrim të gjithë nxënësit e klasëve të IX-ta në Komunën e Prishtinës. Po ashtu, nxënësit nga komunat tjera të Kosovës të interesuar të orientojnë karrierën e tyre në këto drejtime dhe që nuk e kanë këtë mundësi në komunën e tyre përkatëse, do ta kenë mundësinë të regjistrohen në SHMP Gjin Gazulli si dhe në të ardhmen në shkollën e re profesionale.

Nxënësit e klasëve të IX u njoftuan gjithashtu, rreth sesionit informues që do të mbahet online me 2 maj 2023 nga ora 18:00, dhe u ftuan të njoftojnë edhe prindërit e tyre të marrin pjesë në këtë sesion në mënyrë që të njoftohen më detajisht rreth drejtimeve të reja në fushën e TIK-ut që do t’i shtohen këtë vit SHMP Gjin Gazulli. Ky sesion, gjithashtu do tu ofrojë një mundësi nxënësve dhe prindërve të bëjnë pyetje dhe të mësojnë më shumë rreth fushës së TIK-ut.

Si përfundim, është e rëndësishme të njihet vlera e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes në industrinë e TIK-ut. Nisma e Javës së Vajzave në TIK ofron një formë për të fuqizuar dhe inkurajuar gratë dhe vajzat që të ndjekin karrierën në një fushë që po evoluon me shpejtësi dhe po bëhet më thelbësore për jetën tonë të përditshme. Duke i pajisur vajzat me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të pasur sukses në TIK, ne mund të krijojmë një fuqi punëtore jo vetëm më të larmishme dhe gjithëpërfshirëse, por edhe më inovative dhe konkurruese.

Le të vazhdojmë të mbështesim dhe festojmë nisma të tilla si Java e Vajzave në TIK dhe të punojmë drejt krijimit të një të ardhmeje më të barabartë dhe më të begatë për të gjithë.