Ora e Kodimit nis sot me vizitën në SHMU-1 Vushtrri
Në kuadër të Javës së Kodimit 2024, vizituam shkollën SHMU-1 në Vushtrri, ku patëm kënaqësinë bashkë me përfaqësues të rëndësishëm të arsimit të vërejmë nga afër përkushtimin e nxënësve dhe mësimdhënësve në mësimin e kodimit. Në këtë vizitë na shoqëruan Drejtori i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, z. Albanez Tahiraj, drejtori i shkollës, z. Astrit Izmaku, dhe mësimdhënësja dhe koordinatorja e aktiviteteve të kodimit, znj. Jehona Zabergja.
Gjatë vizitës, nxënësit na treguan talentin dhe kreativitetin e tyre duke zgjidhur sfida të ndryshme përmes kodimit dhe teknologjisë. Ishte frymëzuese të shihnim se si edukimi në shkencat kompjuterike është duke u integruar në shkollat tona dhe se si mësimdhënësit po ndihmojnë në zhvillimin e aftësive digjitale të gjeneratës së re.
Në SHPIK, ne vazhdojmë të mbështesim shkollat dhe mësimdhënësit në Kosovë përmes ofrimit të trajnimeve profesionale dhe sigurimit të kurrikulës së Code.org të përkthyer në gjuhën shqipe. Këto përpjekje synojnë të hapin horizonte të reja për nxënësit dhe të forcojnë edukimin në teknologji dhe inovacion.
Faleminderit Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, drejtorit të shkollës dhe znj. Zabergja për mbështetjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm. Së bashku, po krijojmë mundësi të reja për të rinjtë tanë dhe për një të ardhme të ndritur!