2147 nxënës nga të gjitha vendet e Kosovës kanë shfaqur talentin e tyre në Sfidën Bebras Computing!
Bebras Computing Challenge (apo Kastori i Informatikës) është një iniciativë ndërkombëtare që synon të promovojë informatikën dhe të menduarit kompjuterik ndër nxënës.
Bebras Computing Challenge është krijuar për të ndihmuar nxënësit të eksplorojnë talentet dhe pasionin e tyre për informatikën dhe të menduarit kompjuterik, përmes zgjidhjes së enigmave dhe sfidave atraktive.
Sfida Bebras Computing u mbajt me 17 nëntor 2023. Në këtë sfidë, morën pjesë 2147 nxënës nga 28 komuna dhe 53 shkolla. Ata punuan një sërë detyrash që fokusohen në tema dhe aftësi të ndryshme nga fusha e informatikës dhe të menduarit algoritmik dhe kompjuterik.
Për t’i mbajtur gjërat emocionuese dhe sfiduese për të gjithë nxënësit, sfida u organizua në pesë kategori të moshave të ndryshme:
- Kastorët (mosha 8-10, klasa 3/4)
- Benjaminët (mosha 10-12, klasa 5/6)
- Kadetët (mosha 12-14, klasa 7/8)
- Juniorët (mosha 14-16, klasa 9/10)
- Seniorët (mosha 16-18, klasa 11/12)
Secila kategori e sfidës Bebras kishte nga 9 detyra, të ndara në tri nivele të ndryshme vështirësie (lehtë-mesatare-vështirë) me nga 3 detyra për secilin nivel. Numri total i pikëve që mund të arrihen në Bebras Computing Challenge është 81.